Përplasja e armatosur ndërmjet forcave të Policisë së Kosovës dhe grupeve të armatosura terroriste serbe që veprojnë në veri të Kosovës, është pasqyruar në mënyra të ndryshme nga mediat ndërkombëtare, shkruan Fol Drejt.
“Kosova dhe Serbia grinden për përplasjen me armë në manastir” – mbanë titullin një artikull i BBC-së, i cili nuk është i vetmi rreth ngjarjeve të fundit në veri. “3 të vdekur në përleshjen pranë manastirit të Kosovës”, është një tjetër titull i një podcast-i, po i BBC-së.
Euronews ka një titull më goditës ndërsa raporton:
“’Akt terrorist’: Kosova fajëson Serbinë për të shtëna vdekjeprurëse në manastir”.
Le Parisien po ashtu ka raportuar për ngjarjen e së dielës, ndërsa për titull mbanë këtë:
“Kosova: Manastiri ku u strehuan burra të armatosur “nën kontroll””, i pasuar me paragrafin e parë, në të cilin thuhet:
“Shpërthimi i dhunës filloi herët të dielën kur një polic u vra gjatë patrullimit pranë kufirit me Serbinë. Autoritetet në Prishtinë akuzojnë “krimin e organizuar të mbështetur nga zyrtarët në Beograd”.”
Agjencia e njohur e lajmeve Associated Press, po ashtu ka reflektuar mbi ngjarjen me anë të një artikulli të zgjeruar që mbanë titullin:
“Kosova mban zi për një oficer policie të vrarë, disa të armatosur serbë mbeten të lirë pas një rrethimi në një manastir”.
Bild-i gjerman, ka publikuar një artikull me një titull goditës: “Terror në Kosovë”, ndërsa në paragrafin e parë shkruan:
“Sulm terrorist ndaj policëve në veri të Kosovës! Një oficer dhe tre sulmues u vranë në shkëmbime me armë zjarri, tha policia. Situata duket jashtë kontrollit.”
Përndryshe, aktin terrorist e kanë dënuar të gjitha instancat ndërkombëtare, e në anën tjetër, zyrtarët serbë, duke e përfshirë vetë Presidentin Aleksandër Vuçiq, kanë mohuar çdo lidhje me terroristët që mbetën të vrarë dhe ata që u arrestuan nga forcat e Policisë së Kosovës./FolDrejt/