Shembujt e dinosaurëve në tregun e artit mbeten të rrallë dhe Barry pritet të thyejë rekorde, shkruan Euronews, transmeton Fol Drejt.
Një skelet dinozauri jashtëzakonisht i ruajtur mirë, një Camptosaurus i njohur si Barry, do të dalë në shitje në Paris muajin e ardhshëm.
Dinozauri daton nga periudha e vonë e Jurasikut rreth 150 milionë vjet më parë. Skeleti i tij do t’i shfaqet publikut në mes të tetorit para shitjes dhe pritet të arrijë në 1.2 milionë euro.
Dinozauri, i cili u zbulua për herë të parë në vitet 1990 në shtetin amerikan të Wyoming, u restaurua fillimisht në vitin 2000 nga paleontologu Barry James – pra “Barry”.
Laboratori italian Zoic, i cili bleu Barry-n vitin e kaluar, ka bërë punë të mëtejshme restauruese në skeletin, i cili është 2.10 metra i lartë dhe 5 metra i gjatë.
“Është një ekzemplar jashtëzakonisht i ruajtur, i cili është mjaft i rrallë”, tha Alexandre Giquello, nga shtëpia e ankandeve në Paris Hotel Drouot ku do të bëhet shitja.
“Për të marrë shembullin e kafkës së tij, kafka është e plotë në 90% dhe pjesa tjetër e dinosaurit (skeleti) është e plotë në 80%,” tha ai.
Giquello shtoi se ekzemplarët e dinosaurëve në tregun e artit mbeten të rrallë, me jo më shumë se dy shitje në vit në mbarë botën./FolDrejt/