Bëhet fjalë për Denisa Jasharin, prindërit e së cilës janë me origjinë nga jugu i Shqipërisë, transmeton Fol Drejt.
Jashari e fitoi të drejtën e kandidaturës për Ph.D, në degën ‘Historia e Amerikës Latine’, në Universitetin Indiana në Bloomington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), në vitin 2020. Në njoftimin zyrtar të këtij universiteti thuhet se ajo më 2 dhjetor është nderuar me çmimin kombëtar për disertacionin më të mirë, në takimet vjetore (të 61-tat me radhë), të Këshillit të Shkollave Pasuniversitare në New Orleans.
Po ashtu, disertacioni i saj: Hartografitë e Konfliktit: Kultura Politike dhe Protesta Urbane në Santiago, Kili, 1872-1994, fitoi konkursin e Shkollës Pasuniversitare të IU-së në vitin 2021 për doktoratë të shquar: Çmimi i Disertacionit (Shkenca Humane dhe Arte të Bukura).
Rëndom, për çdo vit, konkurrohet për dy çmime, për disertacionet më të dalluara në dy nga katër fushat: biologji & shkenca jetësore dhe humane & arte të bukura – në vitet tek, dhe shkenca sociale dhe matematikë, shkenca fizike dhe inxhinieri në vitet çift.
Jashari është historiane dhe latino amerikaniste, interesat kërkimore të së cilës përfshijnë Amerikën Latine moderne, historinë urbane, kulturën politike, lëvizjet shoqërore, Luftën e Ftohtë, historinë dhe kujtesën gojore. Ajo është aktualisht një asistente – profesoreshë e Historisë së Amerikës Latine në UNC Greensboro dhe një bashkëpunëtore e jashtme e Institutit Kellog për Studime Ndërkombëtare të Universitetit të Notre Dame./FolDrejt/