Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike në luftën kundër krimit të organizuar dhe të të gjitha llojeve të trafikimit, pas operacionit të djeshëm të realizuar në Mitrovicë Veri ku ishin arrestuar katër (4) persona dhe ishte shkatërrua një laborator për kultivim të drogës, një operacion të ngjashëm e ka realizuar edhe sot në orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Mitrovicës Jugu dhe në Fushë Kosovë, i cili ka rezultuar po ashtu me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar dhe konfiskimin e mbi pesëdhjetë e gjashtë (56 kg) substancave narkotike të llojit marihuanë.
Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokuroritë kompetente, ku pas hetimeve të zhvilluara janë identifikuar personat e dyshuar të cilët dyshoheshin se në bashkëveprim trafikonin narkotikë, nga Shqipëria në Kosovës dhe pastaj për destinim jashtë Kosovës.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore fillimisht në lagjen Uglar të Fushë Kosovës është identifikuar i dyshuari (transportieri) i parë (S.B,) i cili drejtonte një veturë të tipit Mercedes, me të cilën transportonte substancën narkotike të fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës.
Më pastaj përmes Pikës Kufitare Vërmicë ka hyrë edhe i dyshuari i dytë (B.R,) me veturën e tij po ashtu të tipit Mercedes, i cili ka vazhduar në drejtim të Mitrovicës Jugu ku e priste personi i tretë (N.M,), me të cilin kanë vazhduar në shtëpinë/garazhin e të dyshuarit e cila gjendej në fshatin Vaganicë.
Bazuar në planet taktike të hetuesve policorë të DHTN-se dhe njësiteve policore, të njejtit kanë reaguar duke i arrestuar të dyshuarit në flagrancë, ku gjatë kontrollit të automjetit të dytë dhe të tretit i cili gjendej në garazh, janë zbuluar po ashtu bunker të modifikuar.
Si vazhdimësi e kontrollit dhe bastisjes së automjeteve (të tria të tipit mercedes), dy prej tyre me targa të Shqipërisë, një me targa vendore si dhe bastisjes së shtëpisë, janë arrestuar edhe personi i katërt dhe i pestë, të dy me inicialet (A.M,).
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dëshmitë si në vijim:
- (56 kg 81 gr) substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë,
- (3) vetura të tipit Mercedes (dy me targa te Shqipërisë një me targa vendore, që të tria me bunker të modifikuar në të njëjtën mënyrë),
- (7) telefona celular,
- (10507) euro (dhjetëmijë e pesëqind e shtate euro) si dhe disa monedha Lek te Shqipërisë dhe Denar te Serbisë.
Me vendim mbi ndalimin e personave, katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi shitja e paautorizuar e substancave narkotike psikotropike dhe analoge”, ndërsa i dyshuari i fundit vazhdon në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e grupeve kriminale pa dallim dhe parandalimin e krimit të të gjitha llojeve, në veçanti luftë e pa kompromis do të bëhet ndaj abuzuesve dhe trafikantëve me substanca narkotike./FolDrejt/