Një ngjarje dramatike ka ndodhur në një shtëpi në Seattle të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), me ç’rast kanë vdekur dy persona, transmeton Fol Drejt.
Sipas New York Post disa oficerë të policisë së Seattle u plagosën nga zjarri që kaploi shtëpinë, ndërsa incidenti la prapa dy të vdekur: një të dyshuar dhe një viktimë. Trupat e burrit dhe gruas u gjetën vetëm pas intervenimit të zjarrfikësve, në mëngjesin e së mërkurës.
Policia mori një telefonatë nga një shtëpi në lagjen Montlake të Seattle rreth orës 8:30 të mëngjesit. Operatorët dëgjuan një burrë duke bërtitur dhe një grua në ankth.
Pas mbërritjes, oficerët trokitën në derë dhe një burrë brenda u tha se ishte i armatosur dhe nuk donte të dilte. Ata provuan të intervenonin pasi i dyshuari iu tha policisë se një grua ishte plagosur.
Më pas, burri u barrikadua në një dhomë dhe u tha oficerëve se ishte i armatosur. Shefi i Përkohshëm i Policisë së Seattle, Adrian Diaz, tregoi më vonë se burri u përpoq t’i godiste me thikë. Më pas, zyrtarët policorë kuptuan se bodrumi ishte në flakë.
Një ekip SWAT, i pajisur me maska oksigjeni mbërriti në vendngjarje dhe hyri në shtëpi për të gjetur të dyshuarin dhe viktimën, por tymi dhe flakët nuk mund të përballoheshin dhe ata u detyruan të tërhiqeshin.
Vetëm pas intervenimit të ekipeve të zjarrfikësve të Seattle, u gjetën trupat burrit dhe gruas.
Katër oficerë vuajtën nga ekspozimi ndaj tymit dhe u trajtuan në Qendrën Mjekësore Harborview. Identiteti i të dyshuarit dhe viktimës nuk u bë i ditur./FolDrejt/