Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar sot për vizitë në komunën e Skenderajt pas vërshimeve që goditën banorët e këtij qyteti.
Në vizitën e tij, Krasniqi u shoqërua nga kryetari i Skënderajt, Fadil Nura dhe nga nënkryetari, Sami Lushtaku, me ç’rast vizitoi lokacionet e prekura më së shumti nga përmbytjet e ditës së djeshme.
Krasniqi u shpreh i lumtur që nuk pati humbje në njerëz, mirëpo përmendi se dëmet janë të mëdha.
“Kryetarin Nura dhe të gjithë zyrtarët komunalë i përgëzova për reagim efikas dhe dinjitoz, brenda mundësive dhe kapaciteteve të tyre, por, mbi të gjitha, që në këtë ditë të vështirë mobilizoi dhe bashkoi të gjithë qytetarët në ndihmë të njëri-tjetrit.
Duke qëndruar pranë secilit qytetar të Skënderajt në këto momente sfide për ta, thirrja jonë emergjente shkon edhe një herë për Qeverinë e Republikës së Kosovës.”, u shpreh Krasniqi.
“Gjendja është e rëndë, me dëme të mëdha materiale dhe infrastrukturë të bllokuar publike. Prandaj, reagimi i nivelit qendror duhet të jetë konform situatës emergjente, me të gjitha kapacitetet shtetërore, përfshirë krijimin e një pakoje financiare për kompensimin e të gjitha dëmeve që kanë pësuar qytetarët.
Uroj që sa më parë situata t’i rikthehet normalitetit dhe banorët e Skënderajt të rikthehen në shtëpitë e tyre!”, shtoi ai./FolDrejt/