Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me senatorin amerikan Ted Cruz, me të cilin shkëmbyen vështrimet e tyre mbi situatën gjeopolitike në Evropë, pas agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës.
Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Cruz për reagimin e qeverisë ndaj agresionit rus dhe punën e qeverisë, me theks në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisjes së mirë, reformën në drejtësi dhe zhvillimin ekonomik, si dhe me rolin aktiv dhe në rritje të Kosovës në paqen dhe stabilitetin në botë falë partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zhvillimi ekonomik dhe siguria kombëtare janë themelet e shoqërive prosperuese dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa tha se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin një partner të pazëvendësueshëm në përmbushjen e tyre.
Përveç kësaj, kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Cruz edhe për vizitën e tij në shtetin e Teksasit (Texas), prej nga vjen senatori Cruz dhe shtetin të cilin ai përfaqëson në senatin amerikan, ku kryeministri Kurti kishte takuar investitorë, akademikë e profesionistë në Këshillin për Çështje Botërore të Dallasit./FolDrejt/