Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me investitorë, akademikë e profesionistë në Këshillin për Çështje Botërore të Dallasit (World Affairs Council of Dallas) /Fort Worth, transmeton Fol Drejt.
Fuqia punëtore profesionale e Kosovës, kosto e ulët operative për kompanitë e Teknologjisë së Informacionit, zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik u veçuan nga kryeministri Kurti si arsye pse Kosova ofron një mundësi të artë për investime të reja.
Ai theksoi klimën tërheqëse për investime në Kosovë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit. Mbi 650 kompani të këtij sektori, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE, tregojnë potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë.
Duke marrë parasysh këto cilësi të veçanta të sektorit të TI-së në Kosovë, kryeministri ftoi investitorët e fokusuar në këtë sektor, që ta përfshijnë vendin tonë në planet e tyre për kontraktimin e shërbimeve.
Duke përmendur ndihmën, që mërgata jonë ka dhënë në financimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor para dhe gjatë luftës, pasuar me luftën çlirimtare të vitit 1999 dhe me përpjekjet për rindërtim të pasluftës, ai veçoi potencialin e mërgatës sonë në ShBA për investime të përbashkëta në Kosovë.
Kryeministri Kurti potencoi gatishmërinë e Qeverisë sonë për të ofruar dhe siguruar kushte të favorshme për investimet e huaja.
Duke theksuar besimin e lartë te qeveria, kryeministri veçoi përmirësimin vjetor rekord për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të raportit të Transparency International.
Miratimi i ligjit për Gjykatën Komerciale, që do të shërbejë për rritjen e efikasitetit të trajtimit të kontesteve ekonomike, dhe rishikimi i ligjeve ekzistuese kanë për qëllim ofrimin e kushteve sa më të favorshme dhe të përshtatshme të të bërit biznes, tha kryeministri./FolDrejt/