Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi ftuan sot për një takim informues ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
Temë qendrore e bisedës dhe diskutimit ishte situata e sigurisë në veri të vendit pas agresionit serb të djeshëm ndaj Republikës së Kosovës.
Kryeministri i njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt sot në mëngjes, dhe me masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.
Kryeministri tha që ky akt është shkelje e kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi kërkesën e tij për reagim urgjent e dënues të faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij akti të agresionit ndaj Kosovës, teksa përsëriti po ashtu kërkesën e lirimit të menjëhershëm të tre policëve, familjet e të cilëve kryeministri Kurti i vizitoi sot./FolDrejt/