Bordi i Drejtorëve i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, në një mbledhje të jashtëzakonshme, sot ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Burim Kelmendin.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai tha se Bordi ka konstatuar se Kelmendi nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit.
“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm”, ka shkruar Rama në Facebook.
“Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve”.
Tutje thuhet se vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, Burim Kelmendit, hyn në fuqi sot, me datë 08.07.2022. /Telegrafi/