Lipjani vazhdon të jetë qytet pa stacion të autobusëve ndonëse bëhet fjalë për një qytet që ka shtrirje të madhe gjeografike dhe frekuentim të dendësuar të qytetarëve. Komuna e Lipjanit akoma nuk ka arritur të ndërtoj stacion të ri të autobusëve ose ta rindërtoj stacionin e shkatërruar e të djegur nga lufta gjenocidale e Serbisë në vitet 1998-1999, shkruan Fol Drejt.
Stacioni i vjetër gjendet në dalje të qytetit, mirëpo është jashtë funksionit dhe asnjëherë nuk është investuar në të. Në të shumtën e rasteve autobusët që vijnë nga fshatrat në Lipjan ose që udhëtojnë vajtje-ardhje në linjën Lipjan-Prishtinë, stacionohen në hapësirën shtëpisë së kulturës ose në hapësirën e tregut të gjelbër.
Në hapësirën e stacionit të shkatërruar gjatë periudhës së luftës 1998-1999 nuk ka asgjë përveç tre autobusëve të djegur. Nga pamjet vërehet që aty nuk është tentuar të investohet as në të kaluarën e as aktualisht. Nga ana tjetër, komuna ende nuk ka gjetur zgjidhje konkrete për ndërtimin ose rindërtimin e stacionit.
Fol Drejt ka provuar të mësojë nëse qeverisja aktuale lokale, planifikon të bëjë diçka në këtë drejtim, por nuk ka marr përgjigje.
Aktualisht Komunën e Lipjanit e qeverisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në krye me Imri Ahmetin për të tretin mandat radhazi. Në të kaluarën, nga viti 2000 e deri më 2002, kishte qeverisur LDK-ja, ndërsa nga viti 2002 e deri në vitin 2013, kishte qeverisur Partia Demokratike e Kosovës (PDK)./FolDrejt/