Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, ka përkujtuar kohën e dëbimit të shqiptarëve me dhunë nga forcat paramilitare serbe, transmeton Fol Drejt.
“Sot, teksa shënohet Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve, kujtojmë eksodin e dëbimit të shqiptarëve me dhunë nga forcat paramilitare serbe në luftën e vitit 1998-1999.
Rreth një milionë shqiptarë ishin shpërngulur në Shqipëri e Maqedoni të Veriut pas dëbimit me dhunë nga forcat serbe e sulmeve të vazhdueshme që po merrnin jetën e burrave, grave e fëmijëve.
Mijëra të vdekur e mbi 1600 të cilët figurojnë ende si të zhdukur ishte bilanci i kësaj lufte gjenocidale serbe, që përfundoi pas bombardimeve të NATO-s.
Pamjet e nënave me fëmijë në krah, të moshuar të torturuar që mezi ecnin nëpër mal, janë pamje që do qëndrojnë të ngulitur në momorien tonë.”, është shprehur Mehaj.
Mehaj ka thënë se tmerri i përjetuar gjatë asaj kohe, njëjtë sikur edhe të rënët për lirinë e Kosovës nuk do të harrohen kurrë, sepse sipas Mehajt mungesa e tyre ndihet çdo ditë.
“Mospranimi i krimeve nga ana e pushtetit serb është t’i dënosh me vdekje për së gjalli familjarët e viktimave, është vrasje edhe më e rëndë se e para.
Mosdënimi i autorëve të krimit është agonia që pengon ecjen para, qetësia që nuk mund të vendoset dhe e ardhmja paqësore që nuk mund të arrihet.
Pajtimit të vërtetë i paraprin drejtësia e kërkim falja për viktimat, pranimi i ekzistencës së njëri-tjetrit e i fakteve, përgjegjësia shtetërore e shoqërore, dëmshpërblimi.
Agresori të mos sillet si viktimë por të njoh realitetin. Vetëm ashtu bëhet ndërtimi i paqes së qëndrueshme, të ardhmes së sigurtë.”, ka shtuar Mehaj më tej.
I pari i Ministrisë së Mbrojtjes ka thënë se drejtësia duhet të vendoset në mënyrë që historia të mos përsëritet./FolDrejt/