Zyrtarët policorë kanë kryer aksione kundër kontrabandimit të mallrave.
Ata për këtë njoftuan përmes një postimi në Facebook, ku u shprehën:
“Policia e Kosovës, respektivisht Departamenti për Kufi, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike në parandalimin dhe luftimin e krimit, kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale ndërkufitare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka realizuar operacionin policor “Transporti 2’. Hetimet intensive kane filluar në fund të vitit 2021, me autorizim të prokurorisë, ndaj disa të dyshuarve shtetas kosovarë, me dyshim të kryerjes së veprës penale ‘tregti e ndaluar’.
Sot me datën 08.04.2022, në regjionin e Ferizajt dhe Mitrovicës se Veriut, është realizuar plani operative, në kuadër të të cilit Departamenti i Policisë Kufitare dhe Doganën e Kosovës, ka kryer kontroll në katër lokacione (tre në komunën e Shtërpcës dhe një në komunën Mitrovicë Veri) dhe ka ndaluar, kontrolluar katër automjete me të cilat dyshohej se bëhej transport, gjegjësisht tregti e ndaluar dhe kontrabandë.
Gjate kontrollit në këto katër lokacione dhe në automjetet e ndaluara është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial (gjera ushqimore, pije alkoolike, duhan etj.) mall i kontrabanduar pa dokumentacion përkatës. Në konsultim me Prokurorin e Shteti, malli është konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe janë arrestuar njëmbëdhjetë meshkuj kosovarë nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar dhe janë sekuestruar tri automjete.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt realizimit të objektivave strategjike për të parandaluar aktivitetet kriminale, kontrabandën dhe dukuritë tjera negative.”