Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani e ka konfirmuar se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës sërish është sulmuar me armë zjarri në në veri.
Sipas tij, sulmi ka ndodhur ndaj një njësie patrulluese kufitare në Zupçe të Zubin Potokut.
Nga ky sulm thekson se nuk ka persona të lënduar.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri” – ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se përveç dëmeve materiale në automjet, nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.
Tutje ka shtuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve./FolDrejt/