Policia e Kosovës, lidhur me vrasjen e djeshme në Prizren, është vënë në kërkim të një personi, përcjell Fol Drejt.
Siç njofton raporti 24 orësh, i dyshuari Aziz (Hashim) Gashi, pas vepres se kryer eshte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Përkundër përpjekjeve të bëra ende nuk është arritur që të lokalizohet vendqëndrimi i tij.
Tutje, policia ka bërë të ditur se janë njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe stacionet policore në nivel vendi ngase i dyshuari dyshohet të jetë i armatosur dhe ndalimi i të njëjtit është me shkallë të lartë të rrezikshmërisë. Me qëllim të lokalizimit të vendqëndrimit të të dyshuarit dhe të arrestimit të tij sa më të shpejtë, nga ana e Prokurorisë Themelore të Prizrenit është lëshuar autorizim për publikimin e fotografisë së të dyshuarit.
Si rrjedhojë, policia ka kërkuar ndihmën e të gjitha mediave dhe qytetarëve që, për çfarëdo informate për vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftohet në stacionin më të afërt policor, në mënyrë që të bëhet arrestimi i të dyshuarit dhe të mundësohet sa më parë zbatimi i procedurave ligjore.