Studenti nga Kosova, Shkëlqim Hetemi, që ka vijuar studimet në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, në Universitetin e Prishtinës, ka fituar vendin e parë në garat spartan, të mbajtura në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara.
Siç njofton Universiteti i Prishtinës, në shkretëtirën e Abu Dabit, përtej 25 pengesave, në një distancë prej 10 kilometrash, Shkëlqimi ka arritur të mposhtë pjesëmarrësit e grupmoshave 25-29-vjeçare në një periudhë prej 1:57:38. Në kategorinë spartan super, ku fitues doli Shkëlqimi, morën pjesë 620 garues nga vende të ndryshme të botës.
Fituesi, Shkëlqim Hetemi është shprehur krenar për rezultatin e arritur në këtë garë. “Pas këtij rezultati qëndron puna dhe përkushtimi, andaj shpresoj që në të ardhmen do të marr pjesë edhe në gara të tjera e të dal edhe me rezultate më të mira”, theksoi Shkëlqimi.
Kampionati Spartan është ndër evenimentet më të mëdha sportive në sportin e fitnesit, ku vlerësohen fuqia, qëndrueshmëria dhe mirëqenia trupore./FolDrejt/