Aktivisti Shkëlzen Gashi ka kujtuar një grafit të vitit 2000, autori i së cilit, atëbotë, nuk dihej, shkruan Fol Drejt.
“Prishtinë <3 ime, haram të qoftë gjaku im!” – thoshin fjalët e grafitit.
Gashi e ka kujtuar e komentuar këtë rast, duke thënë se kjo dëshmon sa shoqëri harrestare jemi.
“Duke u marrë me kujtimet e njerëzve për të kalumen, e me theks të veçantë për luftën në Kosovë 1998-1999, në fillim u pata habitë kur rrëfimet e dëshmitarëve për të njëjtën ngjarje ndryshonin nëpër vite. Mandej, e mësova që kjo është krejt normale. Harrojmë. Harrojmë qëllimisht. Shtojmë naj sen se mësojmë informata të reja. Heqim diçka që se s’na pëlqen ose influencohemi nga narracioni që prevalon në shoqni.
Nejse, qe një shembull personal: e pata pa me sy të mi këtë grafit në sheshin ‘Nana Terezë’ në Prishtinë pas zgjedhjeve të para të lira në Kosovë në tetor të vitit 2000, në të cilat LDK-ja fitoi sikur LVV-ja në shkurt të vitit 2021. Për gati dy dekada kam qenë i bindun se ky grafit ka qenë i shkrumë me ngjyrë të kuqe. Tash që e gjeta fotografinë në arkivën e ‘Reuters’-it, po e shoh që paska pas qenë me ngjyrë të bardhë” – ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në Facebook.
Ai madje ka shtuar se tashmë posedon informata se kush e ka shkruar këtë grafit.
Poshtë postimit shumë nga ndjekësit e tij e kanë komentuar rastin në fjalë, por një ndër ta ka qenë edhe Ylber Aliu, që sipas Gashit, është autori i grafitit.
“Do të denoncoj, pse nuk po e publikon emrin.” – i ka komentuar Aliu, ndërsa Gashi ia ka kthyer “Ylber Aliu, u dekonspirove!”/FolDrejt/