Pronari i Restorant “Ora” në Podujevë ka bërë një postim prekës për njërin prej punëtorëve të tij, i cili duket se ka vendosur të migrojë për në Gjermani. Ata janë përshëndetur me fjalë prekëse, duke iu uruar njëri tjetrit të mira, shëndet dhe suksese në jetë, shkruan Fol Drejt.
“Gazi po e lë Kosovën e lirë për të cilën babai i tij luftoi, po e lë edhe uniformën e UÇK-së së babait të varur në shtëpinë e tij, po i lë edhe dy varre të Babës dhe Nënës të cilët nuk jetojnë më dhe po e merr rrugën e kurbetit për të ju bashkuar vëllait dhe motrës…” – ka shkruar Hoti. Ai më tej e ka rrëfyer historinë e punëtorit të tij, duke treguar se si para gjashtë vitesh e kanë mirëpritur, se si e kanë ndihmuar të ngrihet në karrierë.
“Para 6 vitesh dëgjuam nga një punëtor i yni që Gazi jeton i vetëm dhe shumë i ri në shtëpi në fshatin Katunishtë dhe menjëherë e thirrëm qe t’i bashkohet stafit tonë. E afruam, e trajtuam si anëtar të familjes, Gazi kishte mungesë komunikimi me njerëz dhe kishte vështirësi në fillim po me kalimin e kohës aj u bë sikur ne të gjithë ishim një familje!” – ka vijuar historinë Hoti.
Ai më tej i ka uruar të gjitha të mirat në jetë.
Por edhe më prekës ka qenë përshëndetja e punëtorit. Duke ia konfirmuar fjalët tashmë ish shefit të tij, ai e ka shkruar një postim prekës, përshëndetës:
“Kam punuar për 6 vite rresht dhe tash kam vendosur ta lë punën. I gjeta kolegë, e tash po i lë si familjarë. Për këto vite Restorant “Ora” në Podujevë, me në krye Ditar Hotin, më mirëpritën dhe më ndihmuan ta kuptoja e mësoja më mirë zanatin. Unë në të vërtetë nuk kisha nevojë shumë për punë e pagë, sa kisha nevojë për miq, e këtu i gjeta të dyja. Në periudhën më të vështirë të jetës sime, kur të gjithë familjarët që më kishin mbetur, nuk i kisha pranë, u “strehova” te familja e madhe Ora.
I falënderoj të gjithë kolegët, stafin në përgjithësi, e sidomos z. Ditar Hoti për këtë mbështetje.
Unë po e lë Kosovën. Po e lë ëndrrën e parealizuar të babait tim të ndjerë, luftëtar i UÇK-së. Po e lë Kosovën e nënës sime po ashtu të ndjerë, për t’iu bashkuar vëllait dhe motrës që jetojnë prej kohësh në mërgim.”
Duket se këta nuk do të jenë punëtorët e vetëm që do ta lëshojnë Kosovën. Liberalizimi i vizave pritet që ta godas vendin tonë në plagën e vjetër: migrimin. Heqja e regjimit të vizave, do t’ua mundësojë të gjithë atyre që kërkojnë një jetë më të dinjitetshme, të ia mësyjnë Perëndimit./FolDrejt/