Sipas familjes së tij, ushtari amerikan u vra këtë javë teksa po luftonte përkrah forcave ukrainase.
22-vjeçari, Willy Joseph Cancel, sipas CNN, ishte duke bashkëpunuar me një kompani private kontraktuese ushtarake kur u vra të hënën.
“Kompania nga Amerika e dërgoi atë në Ukrainë, ai po paguhej për të luftuar atje”, tha e ëma, Rebecca Cabrera.
Cancel, një ish-marins amerikan u regjistrua për të punuar për kompaninë private kontraktuese ushtarake pak para se të shpërthente lufta në Ukrainë, tha ajo.
Kur filloi lufta, kompania ushtarake, sipas Cabrera, po kërkonte kontraktorë për të luftuar në Ukrainë dhe Cancel pranoi të shkonte në Ukrainë.
“Ai donte të kalonte sepse besonte në atë për të cilën po luftonte Ukraina”, tha Cabrera.
Nëna e 22-vjeçarit është njoftuar se trupi i të birit nuk është gjetur ende. Ai ishte baba i një fëmije 7 muajsh./FolDrejt/