Sipas policisë, dy persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti në magjistralen Skenderaj – Drenas.
Më saktësisht në fshatin Gllobar.
“Nga informatat e para bëhet e ditur se dy vetura janë përfshirë në aksident rreth orës 14:00, dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën përderisa tre të tjerë kanë pësuar lëndime”.
“Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, ka deklaruar Agron Borovci, zëdhënës i policisë.
Ai ka thënë se të vdekur janë një grua dhe një fëmijë, ndërkaq tre persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore të cilët po trajtohen në QKUK.
Trupat e të vdekurve janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.