Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune njoftoi se vendi i tij ka nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi me Francën në fusha të ndryshme.
Duke folur në një konferencë për media pas sesionit të 5-të të Komitetit Ndërqeveritar të Nivelit të Lartë Algjeriano-Francez në kryeqytetin Algjer, Tebboune tha se marrëveshjet mbulojnë disa sektorë, duke përfshirë industrinë dhe teknologjinë, startup-et dhe inovacionin, bujqësinë, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, tregun e punës, turizmin dhe zejet, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai shtoi se marrëveshjet janë nënshkruar në kuadër të direktivave të presidentëve të dy shteteve.
Me synimin për të përmirësuar lidhjet mes dy vendeve, kryeministrja franceze Elisabeth Borne e shoqëruar nga një delegacion prej 16 ministrash mbërriti për të marrë pjesë në seancën e Komitetit Ndërqeveritar.
Takimi i përbashkët midis dy vendeve u pezullua që nga sesioni i tij i 4-të në vitin 2017 për shkak të marrëdhënieve të tensionuara që rrjedhin nga periudha koloniale dhe çështjeve të lidhura me emigracionin.
Gjatë vizitës treditore të presidentit francez Emmanuel Macron në Algjeri në fund të gushtit, dy vendet nënshkruan gjashtë marrëveshje bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm dhe një deklaratë për një “partneritet të rinovuar”.
Gjithashtu u nënshkruan pesë marrëveshje të tjera për të nxitur marrëdhëniet dypalëshe në fusha të ndryshme.
Vizita e Macron-it në Algjeri kishte për qëllim t’i jepte fund tensioneve dhe mosmarrëveshjeve diplomatike mes dy vendeve për çështje të shumta të epokës koloniale./FolDrejt/