Ministrat e Mbrojtjes të Francës dhe Italisë, Sébastien Lecornu dhe Guido Crosetto, kanë rënë dakord për blerjen e 700 raketave Aster 30 për sistemet antiraketë SAMP/T, të cilat pritet të marrë Ukraina, raportoi botimi francez L’Opinion më 27 janar, transmeton The News Voice Of Ukraine, përcjell Fol Drejt.
Sipas raportit, marrëveshja u arrit gjatë vizitës së Lecornu në Romë më 27 janar.
Kjo seri e raketave Aster 30 do të kushtojë rreth 2 miliardë euro (2.17 miliardë dollarë). Megjithatë, nuk dihet saktësisht se sa raketa do t’i transferohen ushtrisë ukrainase.
Lecornu konfirmoi në Twitter se Ukraina ishte në axhendën e takimit me homologun e tij italian.
“Ne ndamë një angazhim të përbashkët për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës, për të mbrojtur Detin Mesdhe nga kërcënimet e reja dhe për të rritur aftësitë tona të përbashkëta të prodhimit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore”, tha ministri francez.
Në fund të dhjetorit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi bisedime me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Pastaj zyrtarisht u bë e ditur se Roma po shqyrtonte transferimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha në një intervistë me Corriere della Sera më 21 janar se Roma dhe Parisi po finalizonin përgatitjet për dërgimin e sistemeve SAMP/T në Ukrainë. Ai tha se Italia dhe Franca po planifikonin veprime të tjera mbështetëse për të cilat po punohej në mënyrë konfidenciale. /FolDrejt/