Presidentja Vjosa Osmani në emër të qytetarëve ka falënderuar presidentin e Frances, Emanuel Macron dhe popullin francez për donacionin me 117,000 vaksina Pfizer, duke thënë se Franca edhe njëherë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, u dëshmua si një vend mik e solidar, transmeton lajmi.net, përcjell FolDrejt.com.
Osmani ka shkruar në Facebook se angazhimi ynë institucional për luftimin e pandemisë është fuqizuar vazhdimisht përmes përkrahjes së partnerëve e aleatëve tanë.
“Kosova ka arritur një nivel të mirë të vaksinimit dhe qytetarët tanë kanë treguar nivel të lartë të përgjegjësisë kolektive e vetëdijesimit. Por, kemi ende punë përpara. Siç u dëshmua në vende të tjera, doza e tretë është e domosdoshme për ta parandaluar një valë të re infektimesh. Në prag të festave të fundvitit, dhurata më e mirë që mund t’i bëni vetes dhe më të dashurve tuaj është ruajtja e shëndetit tuaj. Andaj, ju lutem, vaksinohuni”, ka shkruar ajo.