Njoftohet se ushtarët francezë të vendosur në Burkina Faso u larguan nga vendi.
Sipas një deklarate me shkrim nga ushtria e Burkina Fasos, thuhet se të gjithë ushtarët francezë që shërbyen në operacionin “Sabre” u larguan nga vendi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjithashtu është evakuuar edhe baza ushtarake Kamboince, pranë kryeqytetit Ouagadougou, ku ishin të vendosur ushtarët francezë.
Qeveria ushtarake e Burkina Fasos e cila erdhi në pushtet më 30 shtator 2022, më 23 janar njoftoi se ndërpreu marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak me Francën dhe u dha ushtarëve francezë një muaj afat për t’u larguar nga vendi.
I vendosur në Ouagadougou, operacioni “Sabre” përbëhej nga 400 ushtarë nga Komanda Franceze e Operacioneve Speciale.
Operacioni, i quajtur sipas fjalës franceze Sabre që do të thotë “shpatë kalorësie”, u konsiderua operacioni më i gjatë dhe më i rëndësishëm i operacioneve speciale jashtë territorit francez.
Operacioni, i cili filloi në vitin 2009 pas sulmit ndaj Ambasadës së Francës në Mauritani dhe një sërë incidentesh të pengmarrjes, fillimisht zbarkoi në Mauritani dhe më pas në Niger.
Operacioni në vitin 2010 u vendos përgjithmonë në bazën ushtarake “Kamboince” në Ouagadougou./FolDrejt/