Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka qëndruar e heshtur për akuzat për ndërhyrje të SHBA-së në sistemin politik të vendit.
Në një konferencë për media, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Anne-Claire Legendre, refuzoi të komentojë mbi akuzat e ish-kryeministrit Francois Fillon mbi këtë çështje, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në përgjigje të korrespondentit të Anadolu-t mbi këtë çështje, Legendre tha se Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka “asnjë koment apo vërejtje për këtë çështje”.
Gjatë një seance dëgjimore të mërkurën nga një komision hetimor për ndërhyrjen e huaj, ish-kryeministri Fillon tha se numri më i madh i ndërhyrjeve me të cilat ai ishte përballur personalisht erdhi nga “një vend mik dhe aleat i quajtur SHBA”.
Fillon tha se gjatë mandatit të tij si kryeministër në vitet 2007-2012, ai dhe ish-presidenti Nicolas Sarkozy u spiunuan nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së.
Javën e kaluar, komisioni zbuloi se kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Brendshme (DGSI), Nicolas Lerner, më 2 shkurt u mor në pyetje me dyer të mbyllura dhe deklaratat e tij tashmë janë bërë publike.
Lerner paralajmëroi ligjvënësit për infiltrimin rus në sistemin politik francez.
Komentet e presidentit Macron mbi çështjen Kinë-Tajvan
E pyetur nga Anadolu në lidhje me komentet e presidentit Emmanuel Macron mbi politikën e Francës ndaj çështjes Kinë-Tajvan, Legendre tha se “aleanca me SHBA-në është një shtyllë e sigurisë evropiane, veçanërisht në kuadër të NATO-s”.
“Kjo nuk pengon zhvillimin e sovranitetit dhe autonomisë evropiane. Bëhet fjalë për evropianët që zotërojnë fatin e tyre, veçanërisht për situatën në Indo-Paqësor”, tha ajo.
Pas një vizite treditore në Kinë, presidenti Macron në një intervistë më 5 prill tha se Evropa duhet të zvogëlojë varësinë e saj nga SHBA-ja për të siguruar autonominë e saj strategjike.
Macron theksoi se Evropa duhet të shmangë përfshirjen në një konflikt të mundshëm Kinë-Tajvan, duke shtuar se Franca dhe Evropa nuk duhet të jenë “pasues”.
Komentet e tij tërhoqën kritika në të dy anët e Atlantikut, me një numër zyrtarësh evropianë që thanë se Macron nuk ka flet në emër të tyre./FolDrejt/