Franca të enjten anuloi stërvitjet për garën e notit në lumin Seine për shkak të ndotjes së shkaktuar nga reshjet e dendura në Paris, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Pas reshjeve të dendura të fundit në Paris, cilësia e ujit të Seine ka rënë aktualisht nën standardet e pranueshme për të mbrojtur shëndetin e notarëve. Për rrjedhojë, në konsultim me shëndetin publik dhe partnerët e eventit, është marrë vendimi për të anuluar eventin e planifikuar për 4 gusht”, thuhet në deklaratën e Federatës Franceze të Notit.
Stërvitja ishte paraparë të mbahej para Kupës së Botës në not, e cila është planifikuar për në fundjavë.
Gazeta franceze Le Parisien raportoi se Seine ishte “shumë e ndotur” dhe stërvitjet ishin anuluar përpara Kupës së Botës të kësaj fundjave, e cila është një ngjarje testuese për Lojërat Olimpike të 2024 në kryeqytetin francez.
Kupat botërore të notit në ujë të hapur për femra dhe meshkuj 2023 janë planifikuar të zhvillohen nën urën Alexandre III në lumin Seine më 5-6 gusht.