Ndërkohë që shumë sektorë në Francë hynë në grevë kundër reformës që do të rrisë moshën e pensionimit në 64 vjeç, në të gjithë vendin nisën të organizohen protesta.
Pasi sektorë si transporti publik, arsimi, energjia dhe punonjësit publikë vendosën të shkojnë në grevë kundër reformës së qeverisë për pensionet, demonstrata filluan në qytete si Parisi, Nice, Montpellier, Rennes, Toulouse, Nantes, Marseille dhe Bordeaux, shkrua AA, përcjell Fol Drejt.
Demonstruesit u mblodhën në Sheshin e Republikës në Paris dhe marshuan drejt Sheshit të Kombit. Pjesëmarrësit mbanin pankarta ku kërkohej që dalja në pension të jetë në moshën 60-vjeçare.
Philippe Martinez, sekretari i përgjithshëm i sindikatës më të madhe të punëtorëve CGT, deklaroi se pret që më shumë se 1 milion njerëz të marrin pjesë në demonstratat në të gjithë vendin.
“Nëse qeveria mendon se reforma (pensionale) është e drejtë, le të mbajë referendum”, theksoi ai.
Protestat e sotme ishin kryefjala e gazetave më të mëdha të vendit.
Për shkak të grevës, Kulla Eifel do të jetë e mbyllur deri në orën 21:00 me kohën lokale.
Ndryshe, kryeministrja Elisabeth Borne më 10 janar njoftoi përmbajtjen e reformës së pensioneve, e cila ishte ndër premtimet zgjedhore të presidentit Emmanuel Macron.
Referoma ndër të tjera parasheh që mosha e pensionimit, e cila aktualisht është 62 vjeç, të rritet me nga tre muaj çdo vit dhe të shkojë në 64 deri në vitin 2030.
Menjëherë pas njoftimit, sindikatat paralajmëruan greva dhe protesta./FolDrejt/