Organizata Freedom House ka ngritur shqetësimin se në Serbi ka rënie dramatike të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, transmeton Fol Drejt.
Mediat opozitare serbe citojnë organizatën e njohur e cila konstaton se Serbia është në vendin e 16-të në mesin e vendeve me një rënie dramatike të lirisë në 10 vitet e fundit, midis Afganistanit dhe Mianmarit, por ende konsiderohet një vend pjesërisht i lirë, sipas raportit të fundit të organizatës Freedom House në një botim special të quajtur. “Shënimi i 50 viteve të luftës për demokraci”.
Gjatë vëzhgimit të gjendjes së lirisë në botë gjatë vitit të kaluar, Kosova është ende pjesërisht e lirë, por shënon një zhvendosje pozitive në vitin 2022 prej katër pikësh, dhe në atë vëzhgim njëvjeçar është mes Kenisë dhe Sllovenisë.
Nga rajoni, në listën e vendeve ku është shënuar një rënie dramatike e lirive në 10 vitet e fundit, Bosnja dhe Hercegovina është në vendin e 31-të me minus 10 pikë, mes Rusisë dhe Indisë.
Serbia është një demokraci parlamentare me zgjedhje shumëpartiake, por Partia Progresive Serbe vazhdimisht ka gërryer të drejtat politike dhe liritë civile, ka ushtruar presion ndaj mediave të pavarura, opozitës politike dhe organizatave të shoqërisë civile, thuhet në raport.
Freedom House raporton se gjatë vitit 2022, ka pasur shkelje të shumta të lirisë së tubimit, duke përfshirë shtypjen e dhunshme të tubimeve dhe protestave të aktivistëve, nga agjencitë private të sigurisë dhe individë të maskuar që dyshohet se janë të lidhur me qeverinë. Presidenti Vuçiq anuloi mbajtjen e Europride në shtator në Beograd, për shkak të “kërcënimeve nga grupet e djathta”. Pavarësisht ndalimit, mijëra aktivistë LGBT morën pjesë në paradën joformale, thotë Freedom House.
Fushata zgjedhore u karakterizua nga paragjykime mediatike dhe akuza për keqpërdorim të burimeve publike. Presidenti Vuçiq u shfaq si kreu i shtetit dhe i partisë SNS, që nënkuptonte një prani të madhe mediatike dhe e bëri të paqartë se në çfarë roli po vepronte. “Serbia shënoi një pikë më pak sepse kushtet mediatike ishin të favorshme për partinë në pushtet, mbi të gjitha mediat e paanshme dhe keqpërdorimi i burimeve publike”, shkruan në raportin e Fridom House. Vëzhguesit raportuan parregullsi të shumta gjatë fushatës dhe vetë ditën e zgjedhjeve. OSBE dhe ODIHR deklaruan në raportin përfundimtar se mangësitë e shumta çuan në kushte të padrejta, të cilat favorizuan partitë në pushtet.
Freedom House thekson se gjatë fushatës liritë kryesore janë respektuar, por ka pasur përfaqësim joproporcional mediatik të partive pro-qeveritare në media, presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe minoriteteve, si dhe ndaj grupeve të cenueshme sociale, veçanërisht popullatës rome, për të votuar për partinë në pushtet. Shtohet se listat e dyfishta të votuesve u përdorën për të monitoruar se si votuan votuesit dhe se u raportua edhe blerje votash.
Frikësimi i votuesve dhe jotransparenca për shpenzimet gjatë fushatës, janë evidentuar në këtë kuadër. Për më keq, Agjencia Kundër Korrupsionit, sipas vëzhgimeve, është treguar po ashtu jotransparente.
Kritikët e akuzojnë Vuçiqin për lidhje me krimin e organizuar
Në raportin për Serbinë, thuhet se kritikët e Vuçiqit dhe SNS-së i akuzojnë ata për lidhje me krimin e organizuar, kur vendet e punës u jepen vetëm bashkëpunëtorëve të presidentit dhe partisë në pushtet. Hetimet për korrupsion udhëhiqen nga disa prokurorë të cilët më së shpeshti fajësojnë policinë se nuk ka prova të mjaftueshme kundër ministrave, shkruan Freedom House.
Sipas kësaj organizate joqeveritare, janë të njohura raste të Nenad Popoviqit për privatizim të dyshimtë, ministrit të financave Siniša Malog për gjoja pastrim parash dhe ish-ministrit të shëndetësisë Zlatibor Lonçar, i cili dyshohet se kishte lidhje me një grup të organizuar kriminal. Raporti i Fridom House përmend edhe rastin e sinjalizuesit Aleksandar Obradoviq, i cili vuri në dukje pjesëmarrjen e babait të ministrit Nebojsha Stefanoviq në tregtinë e armëve.
Qeveria është nën kritika për mungesën e transparencës kur bëhet fjalë për projektet e mëdha të infrastrukturës dhe për fshehtësinë e tenderëve publikë. “Për shembull, detajet e ndërtimit të Beogradit mbi ujë, i cili u financua nga shteti, nuk janë të disponueshme për publikun”, thuhet në raport.
Sipas Freedom House, liritë e mediave kërcënohen nga kërcënimet, paditë apo akuzat penale kundër gazetarëve, pronësia e paqartë e medias, presioni i politikanëve ndaj redaktorëve, presioni i drejtpërdrejtë ndaj gazetarëve dhe niveli i lartë i autocensurës. (marr me shkurtesa nga N1Info)./FolDrejt/