Prodhimi i makinave në Britani ka pësuar goditje muajin e kaluar, pasi shumë fabrika u mbyllën, për shkak të pasigurive të krijuara nga Brexit. Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Makinave tha se prodhimi i automjeteve ra me 44.5%, rënia më e madhe në 10 vjet që kur Britania u zhyt në recesion.
Fabrikat e makinave u mbyllën muajin e kaluar për të shmangur rrezikun e ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit nga frika e një Brexit pa marrëveshje.
Shtyrja e datës së largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, më 31 tetor, erdhi shumë vonë për prodhuesit e mjeteve motorike, duke shkaktuar një kolaps në prodhim.
Tensionet e tregtisë globale nga ana tjetër gjithashtu përkeqësuan më tej rënien e prodhimit. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet e biznesit në Britani kanë shënuar rënie në çdo tremujor të vitit 2018 dhe janë rritur lehtë vetëm në fillim të këtij viti, duke lënë ekonominë e vendit të mbështetet vetëm në shpenzimet e konsumit.