Fruthi është përhapur ndjeshëm në Shqipëri dhe prej javësh Ministria e Shëndetësisë i bën apel prindërve të vaksinojnë fëmijët.
Por të rrezikuar nga ky virus nuk janë vetëm fëmijët, por edhe ata të rritur që nuk janë vaksinuar ende, si dhe ata të lindur në vitet 80-90 pasi është thënë se vaksina nuk ka qenë efektive në atë kohë.
Në një postim në Facebook Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri bën apel që të shkojnë të vaksinohen kategoritë më sipër.
Postimi në Facebook si më poshtë:
Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator, një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar.
-Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimave.
-Virusi i fruthit mund të jetojë në sipërfaqe për disa orë, kështu që mund të futet në rrugët e frymëmarjes nëpërmjet ajrit, duke infektuar dhe persona të tjerë.
-Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse dyshoni të keni disa shenja të fruthit, apo nëse nuk jeni të vaksinuar ndaj fruthit dhe keni rënë në kontakt me një person të sëmurë. Në këtë rast ju duhet të bëni vaksinën e fruthit brenda 72 orëve, për të parandaluar infeksionin.
Këshillohuni me mjekun tuaj.