Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) me 21.250 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes kualifikuese të Euro 2024, Shqipëri-Moldavi, e luajtur në stadiumin “Air Albania” më 17 qershor, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas njoftimit të publikuar nga zyra e shtypit e FSHF-së, penalizimi financiar ka ardhur nga problematika e shkaktuar nga një grupim i tifozëve, që ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, “duke shkaktuar kështu trazira dhe situata krejtësisht të evitueshme”.
“FSHF gjen rastin t’u bëjë apel të gjitha grupimeve dhe tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e incidenteve që mund të sjellin penalitete financiare dhe jo vetëm për Kombëtaren dhe futbollin shqiptar”, theksohet në njoftim.
Njëkohësisht, FSHF i fton të gjithë tifozët dhe futbolldashësit të mbështesin Kombëtaren e Shqipërisë, duke treguar qytetari dhe përgjegjshmëri përmes një sjellje korrekte e duke respektuar rregullat dhe kundërshtarët.
Ndeshja Shqipëri-Moldavi u zhvillua më 17 qershor në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të ekipit kuqezi.