SHBA-ja dhe Gjermania kritikojnë thirrjen e Presidentit serb Aleksandër Vuҁiq dejtuar serbëve të që mos të marrin pjesë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Autoritetet e Prishtinës dhe përfaqësues ndërkombëtar thonë se Forca e Sigurisë së Kosovës, (FSK) do të jetë forcë shumëetnike, ndërsa kritikojnë rolin e Beogradit, i cili po u bën thirrje hapur serbëve që të largohen nga FSK-ja. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta mbështesin rolin e serbëve në këtë forcë, pavarësisht kërcënimeve që po u bëhen atyre. Më shumë se 70 pjesëtarë të komunitetit serb deri tash janë larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës për shkak të presioneve nga Beogradi dhe Presidenti serb Vuҁiq.
“Pa dyshim që tranzicioni do ta nxjerrë Forcën e Sigurisë shumëetnike dhe me profesionalizëm edhe pse shumëetniciteti i forcës sonë është duke u kërcënuar nga aktet e dhunës që janë të papranueshme dhe dua të falënderoj çdo institucion dhe çdo shtet që dënon këto kërcënime. Janë të papranueshme kërcënimet ndaj njerëzve dhe anëtarët e familjeve të tyre. Kështu që ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë serbëve të Kosovës, serbëve të rinj, rolin e tyre në forcën e tyre, sepse është forca e tyre”, tha kryeministri Haradinaj.
Në të njejtën linjë shprehet dhe komandantri i FSK-së, Rrahman Rama, duke thënë se kjo trupë po përballet me sfida të ndyshme, tash edhe me kërcënimet e Beogradit. “Kërcënimi i serbëve të Kosovës, i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, është i papranueshëm. Dua t’ju siguroj që Forca e Sigurisë është organizatë profesionale dhe ne udhëhiqemi nga profesionalizmi dhe jo nga emocionet. Ne po punojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallime”, tha gjenerali Rrahman Rama.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҁiq, gjatë një konfernce për media në Beograd gjatë javës, u bëri thirrje publike serbëve të Kosovës që “të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse atë ushtri po e formojnë, për asgjë tjetër, por vetëm që ata serbë t’i shfrytëzojnë që një ditë të qëllojnë mbi serbët e tjerë”. Vuҁiq tha se “formimi i ushtrisë së Kosovës mund të rrezikojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe kjo mund të çojë në pasoja tragjike”. Por, këto pohime janë hadhur poshtë nga Prishtina zyrtare.
Presidenti i Serbisë, Vuҁiq ka thënë se plani i Prishtinës është që më 28 nëntor në ditën e flamurit, Prishtina të formojnë ushtrinë, deklaratë kjo që nuk është konfirmuar nga autoritetet në Kosovë.
Thirrja e Presidentit Vuҁiq për serbët që mos të marrin pjesë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, u kritikua edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt dhe e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, të cilët po marrin pjesë në konferencën “Forca e Sigurisë dhe Partnerët”. Të dy ambasadorët thanë, se “kërcënimet dhe frikësimet e vazhdueshme të serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera në Forcën e Sigurisë së Kosovës dëmtojnë të gjithë”. Sipas tyre Forca e Sigurisë së Kosovës është një model për vendin dhe përpjekja e saj për të qenë gjithëpërfshirëse duhet të përshëndetet dhe jo të dëmtohet”.
Dy javë më parë parlamenti i Kosovës miratoi tre ligje që ia mundësojnë ngritjen e kapaciteteve FSK-së, (shndërrimin në ushtri të Kosovës) por pa iu ndërruar emri. Kjo për faktin që për ndërrimin e emrit të FSK-së duhet ndërruar edhe kushtetuta, por kjo nuk mund të bëhet pa miratimin edhe të serbëve të Kosovës.