Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në stërvitje ushtarake “Defender Europe 2021” të NATO-s, të cilat do të mbahen në Durrës.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Flamur Arifaj.
“Po mund ta konfirmojmë pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimet ‘Defender Europe 2021’ të cilat do të mbahen në 12 vende, e edhe në Kosovë, por me gjerësisht do te njoftoheni nesër dhe në ditët në vazhdim në lidhje me këto aktivitete”, deklaroi ai.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot se Defender Europe 2021″ është stërvitje e veçantë pasi shënon një ‘ngjitje’ të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA-në dhe NATO-n.
Stërvitja ushtarake, e organizuar nga ushtria amerikane në Evropë dhe Afrikë, ku marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere, do të zhvillohet në 7 baza të ndryshme në Shqipëri.
“Defender Europe 2021” do të zgjasë deri më 9 qershor.
Shqipëria është një nga 16 vendet mirëpritëse në zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake. Forcat shqiptare do të përfaqësohen me rreth 1,000 ushtarë.
Ndërkohë 28,000 trupa shumëkombëshe do të kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, të shtrira në 12 vende.