Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar aktivitetin e demonstrimit të aftësive për manovrim me kapacitete të Operacioneve Speciale dhe Kërkim Shpëtimit malor në kushte dimërore.
Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, nëpërmjet një postimi në facebook, transmeton Fol Drejt.
“Garda Kombëtare që është njësia kryesore e FSK-së, me kapacitete të reagimit në emergjenca civile duke përfshirë kapacitet e njësisë së Kërkim Shpëtimit (KSH), në bashkëpunim me njësinë e Operacioneve Speciale, me qëllim të demonstrimit të aftësive për planifikim dhe ekzekutim të operacioneve të KSH malor demonstruan:
Evakuimin e të lënduarve me teleferik; Operacionet me motor-ski; Operacionet e Kërkim-Shpëtimit me K9 (qenë); Kërkim-Shpëtimi në Ortek; Trajtimin e të lënduarve; Qitjet me precizitet të lartë dhe aktivitete tjera.”, është shprehur ministri Mehaj.
“Ky aktivitet gjithashtu shërben në funksion të testimit dhe ngritjes profesionale të Forcës në ofrimin e Mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile (MUAC) sipas mandatit dhe misionit të Forcës.
Përgëzoj udhëheqësinë e njësive për profesionalizimin e treguar në planifikimin, përgatitjen dhe ekzekutimin e këtij demonstrimi.”, ka shtuar ai./FolDrejt/