Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë duke marrë pjesë në ushtrimin fushor “Combined Resolve XVIII 2023” në Republikën e Gjermanisë, i organizuar nga Ushtria Amerikane “Joint Mulitinational Readiness Center”, shkruan Fol Drejt.
“e Sigurisë së Kosovës merr pjesë në Ushtrimin Fushor “Combined Resolve XVIII 2023”, në Republikën e Gjermanisë, organizuar nga Ushtria Amerikane “Joint Mulitinational Readiness Center”. Në këtë ushtrim FSK po merr pjesë me 41 pjesëtarë, një tog këmbësorie nga Regjimenti i III-të, dhe një ekip nga njësia e KOC për Çështje Civile.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se Combined Resolve është një ushtrim i krijuar për të përgatitur një Ekip Luftarak të Brigadës së Blinduar të ShBA-së, në mbështetje të nismave parandaluese të NATO-s, me qëllim rritjen e gatishmërisë, reagimit dhe përforcimit.
Në këtë ushtrim fushor po marrin pjesë 11 shtete te ndryshme, e në mesin e tyre edhe Kosova me pjesëtarët e FSK-së të cilët po ushtrojnë përkrah forcave të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
“Aktivitetet e zhvilluara në këtë ushtrim janë operacione ofensive, defensive për Togun e Këmbësorisë, ndërsa Njësia e Çështjeve Civile si mision ka komunikimin me popullatën, akterët kyç të fshatrave si dhe analizën e situatës.”, shtoi Mehaj në fund. /FolDrejt/