Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, nëpërmjet një postimi në facebook, ka bërë me dije se me 27 nëntor FSK do ta organizojë “Ditën e hapur”.
Ky organizim, me fillim nga ora 12:00-15:00, do të mirëpresë të gjithë qytetarët e interesuar për t’i vizituar të gjitha kazermat e FSK-së.
“Të gjithë qytetarët janë të mirëpritur të vizitojnë të gjitha kazermat e FSK-së, në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin.
Në këtë ditë, në Kazermën “Adem Jashari” nga ora 12:00, do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.”, thuhet në postimin e ministrit Mehaj.
Tutje, bëhet e ditur se në të gjitha kazermat e FSK-së, gjatë kësaj ditë, para qytetarëve të pranishëm, do të ekspozohen dhe demonstrohen aftësisë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së, të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është ushtri profesionale dhe multietnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim!
Të nderuar qytetarë,
Ejani të festojmë së bashku ditën tonë – Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës!”, përfundon postimin e tij ministri Mehaj./FolDrejt/