Njoftohet se është rritur në 61 numri i personave që kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë të parregullt libanezë u fundos ditën e djeshme në brigjet e Sirisë.
Ministri i Transportit të Libanit, Ali Hamieh, në një deklaratë për gazetarin e AA-së dha informacione në lidhje me katastrofën e fundosjes së varkës që ndodhi dje në brigjet e qytetit sirian Tartus, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke bërë të ditur se si rezultat i punimeve të kërkim-shpëtimit që po vazhdojnë që nga dita e djeshme, deri më tani janë zbuluar trupat e pajetë të 61 personave, Hamieh informoi se janë shpëtuar 19 persona.
Më tej Hamieh deklaroi se po vazhdon puna për gjetjen e personave të zhdukur, ndërsa nuk dha të dhëna lidhur me numrin e të zhdukurve.
Në lajmet në mediat libaneze thuhet se ditën e djeshme është fundosur një varkë me emigrantë e nisur nga qyteti i Tripolit në veri të vendit. Po ashtu thuhet se në varkën në fjalë krahas libanezëve, kishte edhe sirianë dhe palestinezë.
Faqet e lajmeve pranë regjimit të Asadit njoftuan se një varkë që transportonte emigrantë të parregullt që donin të shkonin në Evropë nga Libani u fundos pranë ishullit Arwad, përballë provincës Tartus në pjesën perëndimore të Sirisë, dhe se 34 persona humbën jetën në incident./FolDrejt/