Më parë ishin grerëzat vrasëse, pastaj “gjinkallat zombi”, ndërsa tani nga Australia vjen tmerri i minjve kanibalë, madje dhe ‘piro-maniakë’.
Miliona minj në përhapjen më të madhe në disa dekada në Australi kanë nisur të hanë njëri-tjetrin e madje duke shkaktuar zjarre në shtëpitë e njerëzve, thonë raportimet nga vendi.
“Kur ata nuk kanë më gjak, ose kur nuk kanë më fara për të ngrënë, ata nisin kanibalizimin, nisin të hanë njëri tjetrin,” tha Xavier Martin, kreu i shoqatës së fermerëve në New South Wales.
“Janë kafshë të neveritshme,” tha ai teksa miliona brejtës të pakontrolluar shiheshin të merrnin gjithçka përpara, në videot tronditëse nga vendi.
Situata është më e rëndë në rajonin e New South Wales, por gjithashtu edhe në Victoria e Queensland, duke shkaktuar tmerr në shkolla, shtëpi e spitale, duke lënë një erë të neveritshme nga pas.
Ekspertët thonë se brenda disa javëve ata mudn të arrijnë në Sydney, duke u ngjitur në kamionët e mallrave apo në arkat e ushqimit.
“Minjtë kanë pushtuar çdo gjë,” shton Martin. “Nëse del jashtë dhe qëndron palëvizur, ata të ngjiten në pantallona ose të hyjnë brenda tyre, janë kudo.”
“Na kanë pushtuar shtëpitë, plevicat, makinat e traktorët”.
“Na janë djegur makineritë prej minjve që futen brenda. Muajin e kaluar një shtëpi u dogj pak më në veri nga ne, me sa duket prej minjve.”