Romelu Lukaku është një njeri me zemër të madhe. Raphael Odogwu është sulmuesi i divizionit të dytë italian Südtirol i cili në vitin 2021 luftoi me depresionin e shkaktuar nga një dëmtim i gjatë, të cilin arriti ta kapërcejë falë gjestit të belgut, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Përkatësisht, gjatë periudhës së krizës, gruaja e tij vendosi t’i merrte gjërat në duart e saj. Për të gëzuar të shoqin, ajo u përpoq të kontaktonte Romelu Lukakun në Instagram, por mesazhet e saj mbetën pa përgjigje.
Megjithatë, ajo nuk u dorëzua dhe përmes agjentit të Raphaelit, i cili kishte kontakte me asistentin e Antonio Contes, trajnerin e Interit atë vit, më në fund arriti te belgu.
Këtë herë mesazhi i ka mbërritur Romelu-s, i cili i ka dërguar atij një palë atlete dhe i ka ofruar mbështetje, e cila e ka ndihmuar të kapërcejë depresionin. Që atëherë, sulmuesi italian është rikuperuar nga lëndimi i tij dhe gjesti i belgut i dha forcë shtesë.
Klubi i tij u kualifikua në divizionin e dytë italian dhe në sezonin e parë në atë nivel, Raphael Odogwu është golashënuesi më i mirë i ekipit me 8 gola.
Pasi dëgjoi për këtë histori, të cilën mezi e mbante mend, Romelu vendosi ta bënte sërish të lumtur Odogwan në mes të javës së kaluar duke i dërguar jo më pak se shtatë palë këpucë futbolli të reja.
“Ndoshta një ditë do të takohem në të njëjtën fushë me Romelu dhe ndoshta do të shkëmbejmë fanellat”, tha sulmuesi i cili ashtu si Lukaku mban numrin 90 në shpinë.
FC Südtirol aktualisht është në vendin e katërt në Serie B, dy pikë larg ngjitjes në ligën e parë. /FolDrejt/