PSG ka arritur ta mposhtë Real Madridin 1-0 në ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së kampionëve, kurse ndeshja e kthimit pritet që të jetë edhe më e zjarrtë se e para pasi madrilienët tentojnë ta bëjnë përmbysjen e rezultatit.
Portieri belg i Real Madridit, Thibaut Courtois ka folur për momentin e Real Madridit gjatë muajit shkurt, ku edhe u eliminuan nga Kupa e Mbretit.
“Ky muaj ka patur shumë ulje-ngritje. Eliminimi nga Kupa e Mbretit ishte i papritur, ndeshja në Paris nuk shkoi mirë, por gjithçka është akoma e hapur dhe shpresojmë që të përmbysim rezultatin. Ka ndodhur edhe më parë në Bernabeu”, u shpreh Courtois.
Tutje belgu ka folur edhe për penalltinë që i priti Lionel Messit në ‘Parc de Princes’, duke thënë se ishte një moment i veçantë për të, por pa kualifikim nuk do të ketë vlerë.
“Sigurisht që ishte një moment i veçantë, por nëse nuk kualifikohemi nuk vlen fare. Duhet të përsëris të njëjtën paraqitje, që ajo pritje të marr kuptim”, u shpreh portieri belg./FolDrejt/