Eksportet e vendeve G20 shënuan rënie prej 17.7 për qind dhe importet 16.7 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, mbi një bazë tremujore.
Tregtia ndërkombëtare e vendeve të G20 ka shënuar rënie të ndjeshme në tremujorin e dytë të vitit 2020, rënia më e madhe që nga kriza financiare e vitit 2009, për shkak të masave për të frenuar përhapjen e pandemisë së COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Eksportet e vendeve G20 shënuan rënie prej 17.7 për qind dhe importet 16.7 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, mbi një bazë tremujore, bëri të ditur sot Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Midis ekonomive të G20, vetëm Kina regjistroi rritje të eksportit me 9.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2020, tremujor në tremujor ndërsa importet e saj ranë 4.9 për qind.
“Tregtia ndërkombëtare e mallrave të G20 u shemb në prill të vitit 2020 por filloi të rimëkëmbet në maj dhe qershor derisa masat e kufizimit të COVID 19 u lehtësuan”, u theksua më tej.
Në prill, kur shumica e vendeve kishin masa të rrepta kontrolli për shkak të COVID 19, eksportet dhe importet e G20 shënuan rënie prej 18.7 për qind dhe 16 për qind.
“Të dhënat për maj dhe qershor tregojnë për një rimëkëmbje të pjesshme nga nivelet e prillit në pothuajse të gjitha ekonomitë e G20, pasi masat e kontrollit u lehtësuan. Të dhënat e korrikut, në ato ekonomi ku të dhënat janë në dispozicion, tregojnë për një përmirësim të vazhdueshëm”, thuhet më tej.