Udhëheqësit e G7 do të mbajnë një takim virtual të dielën për të diskutuar luftën në Ukrainë, duke përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha një zëdhënëse e kancelarit gjerman Olaf Scholz.
“8 maji është një datë historike që shënon fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë, e cila solli terror, shkatërrim dhe vdekje në Evropë,” tha zëdhënësja Christiane Hoffmann në një konferencë për shtyp të premten, duke deklaruar se me luftën aktuale në Ukrainë “kohezioni i G7 është më i rëndësishëm se kurrë”, shkruan EN, transmeton Fol Drejt.
Gjermania mban presidencën e G7 këtë vit.
Ky takim, i treti që nga fillimi i vitit, do t’i kushtohet “situatës në Ukrainë në veçanti”, tha Hoffmann, pa detaje të mëtejshme.
Presidenti amerikan Joe Biden kishte njoftuar tashmë një takim këtë javë të grupit G7, pa dhënë një datë të saktë, mbi sanksionet e mundshme shtesë kundër Rusisë.
“Ne jemi gjithmonë të hapur ndaj sanksioneve shtesë,” tha ai të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se do të diskutonte me anëtarët e G7 “çfarë do të bëjmë dhe çfarë nuk do të bëjmë”.
Grupi i G7 i vendeve të pasura përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në./FolDrejt/