Krerët e diplomacisë së Grupit të Shtatë demokracive më të pasura liberale ranë dakord për sanksione më të forta dhe më të ashpra kundër Moskës dhe njoftuan se janë të bashkuar në luftën kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Krerët e diplomacisë G7 u mblodhën dje në qytetin turistik japonez Karuizawa dhe fokusi i bisedimeve të tyre ishin presioni në rritje i Kinës ndaj Tajvanit dhe lufta në Ukrainë, përcjell Fol Drejt.
Njoftimi i sotëm renditi angazhime të tilla si një marrëveshje për të folur më ashpër për rritjen e agresionit kinez dhe koreanoverior në Azinë Verilindore.
Megjithatë, fokusi i samitit treditor në resortin japonez ishte pushtimi rus i Ukrainës.
“Lufta dhe krimet e tjera si sulmet ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar,” thanë ministrat.
Deklarata shtoi se shtetet mbeten të përkushtuara për të vendosur sanksione më të rrepta ndaj Rusisë dhe për të ofruar mbështetje për Ukrainën në masën e nevojshme.
“Retorika e papërgjegjshme bërthamore e Rusisë dhe kërcënimi i saj për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi janë të papranueshme”, thanë ministrat.
Takimi i ministrave të jashtëm duhet të përgatisë terrenin për samitin e krerëve të shteteve të G7 në maj, në Hiroshima të Japonisë.
Ministrat e G7 nga Japonia, SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Bashkimi Evropian theksuan se takimi i tyre në Karuizawa shënoi një moment kyç në përgjigjen e botës ndaj të dyja krizave.
Ata njoftuan se paqja dhe stabiliteti midis Kinës dhe Tajvanit janë “një element i domosdoshëm i sigurisë dhe prosperitetit në komunitetin ndërkombëtar” dhe bënë thirrje për “zgjidhje paqësore të çështjeve të ngushticës”./FolDrejt/