Liderët e G7-s vendosën theksin se bota ndodhet përballë me rrezikun e urisë dhe mbi rëndësinë për të punuar së bashku kundër krizës së përkeqësuar globale të sigurisë ushqimore, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Në qytetin Hiroshima të Japonisë vazhdon Samiti i Liderëve të G7-s. Në kuadër të samitit, liderët publikuan “Deklaratën e Veprimit të Hiroshimës për Rezistencën e Sigurisë Globale Ushqimore”.
COVID-19, lufta Rusi-Ukrainë, çmimet e ndryshueshme të energjisë dhe plehut kërcënojnë sigurinë globale ushqimore, thuhet në deklaratë, ku vihet theksi se në vitin 2021, rreth 828 milionë njerëz në botë janë përballur me urinë.
Po ashtu, në deklaratë tërhiqet vëmendja mbi rrezikun e urisë, ndërsa vihet në dukje rëndësia e bashkëpunimit kundër krizës në përkeqësim të sigurisë globale ushqimore.
Ndër të tjera, në deklaratë palëve u bëhet thirrje që të vazhdojnë pa probleme dhe në potencialin maksimal Iniciativën e Drithit në Detin e Zi.
Po ashtu theksohet se qasja në ushqim me çmim të arsyeshëm, të sigurt dhe ushqyes është nevojë themelore dhe se duhet të krijohen sisteme të vazhdueshme duke rritur parashikueshmërinë në tregje.
“Objektivi ynë i përbashkët është të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo njeri, kryesisht për sigurinë e rezistencës globale ushqimore dhe për të siguruar që të ushqehen të gjithë”, thuhet në deklaratë.