Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë të ditur se grupi G7 i fuqive më të mëdha ekonomike të botës ka vendosur të themelojë klubin ndërkombëtar të klimës për të trajtuar ngrohjen globale.
“Klubi i Klimës nuk ka për qëllim të jetë një iniciativë e G7-tës, përkundrazi do të jetë një sipërmarrje globale”, tha Scholz në një konferencë për media në Berlin, pas një takimi virtual të liderëve të grupit G7, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Scholz ftoi vendet e interesuara që ndjekin një politikë ambicioze klimatike t’i bashkohen Klubit Klimatik, duke shtuar se në muajt e ardhshëm mund të formësojnë së bashku konceptin dhe strukturën e klubit ndërkombëtar.
“Ky nuk është një klub ekskluziv, ai ka për qëllim të jetë sa më i hapur për shumë vende, në mënyrë që ne gjithashtu së bashku të mund ta zotërojmë këtë detyrë të madhe. Ne duhet të mbrojmë planetin tonë dhe mjedisin për brezat e ardhshëm”, tha Scholz.
Kancelari gjerman po ashtu theksoi se grupi G7 kërkoi nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, si dhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, të organizojnë një sekretariat të përkohshëm për Klubin e Klimës./FolDrejt/