Takimi i sotëm ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, po komentohet në mënyra të ndryshme.
Aktivisti dhe analisti, Shkëlzen Gashi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, u shpreh se në fakt Kosova vetëm po e zbaton marrëveshjen e arritur më parë në mes të Kosovës dhe Serbisë, përcjell Fol Drejt.
“Më 14 shtator 2016, Kosova dhe Sërbia janë dakorduar në Bruksel, për aranzhimet lidhur me finalizimin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, të nënshkruar më 2 korrik 2011.
Pika 4 e këtij dakordimi thotë se regjistrimi i të gjitha automjeteve me tabelat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës (KS/RKS) do të fillojë më 15 janar 2017 dhe do të zgjasë 12 muaj, e në fund të kësaj periudhe do të ketë një vlerësim nga të dy palët me ndërmjetësim të BE-së.
Pra, pas përfundimit të periudhës 15 janar 2017 – 15 janar 2018, në Kosovë është dashtë të ketë vetëm tabela KS/RKS, e jo edhe tabela PR, KM, PE, PZ, UR, GL, DJ… e që janë të kohës së regjimit të Milošević-it. Pse nuk ka ndodhë kjo? Këtë pyetje duhet shtruar: a) përfaqësueve qeveritarë kosovarë gjatë dekadës së kaluar; b) përfaqësuesve qeveritarë sërbë; dhe c) ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, me theks të veçantë BE-së.
Pika 5 e këtij dakordimi thotë se Kosova do ta zgjasë validitetin e tabelave KS për pesë vite, e në fund të kësaj periudhe, çështja do të shqyrtohet nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse kërkohet). Ky afat ka skaduar më 14 shtator 2021. Targat KS nuk duhet të lejohen mbas këtij afati”, u shpreh Gashi.
Ai e ka theksuar se në fakt jo vetëm Serbia por edhe BE-ja nuk po e zbaton marrëveshjen e arritur më parë në mes të dy palëve.
“Kosova po e zbaton këtë dakordim, saktësisht pikën 6, e cila thotë se Qeveria e Kosovës duhet të garantojë heqjen e taksave dhe detyrimeve për regjistrimin e automjeteve. Po ashtu, Qeveria e Kosovës po e zbaton edhe pikën 7 të këtij dakordimi, e cila thotë se të dy palët (Kosova e Sërbia) dhe BE-ja do të ndërmarrin një fushatë informuese për t’ua shpjeguar banorëve modalitetet për regjistrimin e automjeteve. Këtë pikë po e zbaton vetëm Kosova, por jo edhe Sërbia dhe BE-ja”, tha ai./FolDrejt/