Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe Hermann Sterzinger, ekspert nga kompania gjermane “Veridos’’, prezantuan patentë-shoferin mobil, në konferencën botërore “Security Document World 2018” në Londër.
Nga data 25 deri më 27 qershor mbahet konferenca botërore “Për sigurinë e të dhënave të sigurta të identitetit të qytetarëve, si dhe zgjidhjet e identitetit, për e-pasaporta, eID kartë, vizat e identitetit, si dhe të kontrollit kufitar përmes sistemit të eID-ve”.
Ministri Gashi paraqiti projektin e patentë-shoferëve mobil, të implementuar në Kosovë, për identifikimin e qytetarëve përmes telefonave të mençur.
Në këtë konferencë ministri theksoi se Republika e Kosovës ka filluar me një projekt madhor, për një dokument të identifikimit, por jo për një dokument fizik, por për një zgjidhje mobile, që zëvendëson patentë-shoferin fizik.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës në bashkëpunim me kompaninë “Veridos” nga Gjermania, kanë ofruar një zgjidhje komplementare digjitale, për tu bashkuar me programin e patentë shoferit fizik.
Ky dokument ofron integritetin e fuqishëm dhe sigurinë e të dhënave në çdo kohë, një ndërlidhje e të dhënave të qytetarit, si dhe lehtë për t’u përdorur, besueshmëri e përkryer për dëshmi – dhe jo falsifikim të identitetit.
Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë patentë shoferin e vlefshëm mund të shkarkojnë aplikacionin RKSmobileID dhe ta përdorin atë.
Ndryshe, nga data 23 shkurt 2018 Republika e Kosovës për herë të parë në botë ka filluar lëshimin e patentë-shoferëve mobil.