Një sarkofag plumbi i epokës romake u zbulua në Rripin e Gazës të dielën, zbulimi i dytë i tillë këtë vit, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Një sarkofag i dytë prej plumbi u gjet gjatë punimeve të gërmimit në një varrezë në veri të Gazës”, tha për Anadolu Jamal Abu Raida nga Ministria e Turizmit dhe e Antikiteteve në Gaza.
“Sarkofagu i përket ndonjë personaliteti të lartë të epokës romake”, shtoi ai.
Në shkurt, autoritetet palestineze zbuluan një arkivol plumbi në të njëjtën varrezë që u zbulua në veri të Gazës vitin e kaluar.
“Sarkofagu do t’i transferohet Ministrisë së Turizmit dhe të Antikiteteve për të kryer studime dhe kërkime me ndihmën e ekspertëve dhe arkeologëve francezë dhe të tjerë ndërkombëtarë”, tha Abu Raida.
Autoritetet palestineze vlerësojnë se rreth 125 varreza të epokës romake janë zbuluar në Gaza.
Gaza është një nga qytetet e lashta të botës. Ajo është sunduar nga faraonët, grekët, romakët, bizantinët dhe muslimanët./FolDrejt/