Gazeta opozitare serbe “Danas” u është kundërpërgjigjur sulmeve publike të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili i cilësoi gazetarët e saj si gënjeshtarë, shkruan Fol Drejt.
Gjithçka filloi kur u publikuan artikujt paralajmërues për një shkarkim të mundshëm të shefit të BIA-s serbe Aleksandër Vulin.
Vuçiq i zemëruar me këto publikime, tha se veç që nuk kishin bazë këta artikuj, as që e kishte ndërmend ta shkarkonte të besuarin e tij nga shërbimi inteligjent.
Por “Danas” pretendon që ka dëshmi për këtë. Redaksia e saj shprehet e bindur se largimi i Vulinit është përgatitur shumë moti, ndërsa pasardhës i tij në një ndër postet më të rëndësishme të shtetit, do të jetë zëvendësi i tij i tanishëm.
“Këtë e di shumë mirë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është alfa dhe omega e vendit tonë, e i cili merr vendime prej çmimit të sallamës e deri te posti i drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion” – shkruan “Danas”.
“Ndoshta jo brenda pesë ditëve, por brenda dy muajve të ardhshëm” – sipas “Danas”, Vulin do të zëvendësohet.
Redaksia ndër të tjera i shkruan presidentit duke i thënë se, jo gazetarët gënjeshtarë të saj janë të dështuar, por presidenti është “i djegur”, përderisa bashkëpunëtorët e tij iu japin informacione gazetarëve. Për këtë, sipas opozitares serbe, duhet ta pyes veten presidenti.
Ua kujtojmë se muaj më parë Vulin u shpall person i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ndërsa u fut në listën e personave të sanksionuar. Presidenti Vuçiq që nga atëherë, e ka mbushur opinionin publik me deklarata të atilla sipas së cilave, ai nuk do t’i nënshtrohet presionit amerikan./FolDrejt/