Gazetari shqiptar dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, nën akuzat për krime lufte.
Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook ku shfaqet para dyerve të burgut të Hagës, Fezviu njoftoi se është takuar me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi.
“Pas kësaj dere ndodhen katër nga drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe katër nga drejtuesit e mëpasëm politikë të Kosovës së pavarur: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Unë vizitova sot Hashim Thaçin, ish-president dhe ish-kryeministër i Kosovës. Ai ishte në një gjendje shumë të mirë, qoftë psikologjike apo fizike. Edhe të akuzuarit e tjerë janë në gjendje të mirë”, deklaroi Fevziu.
Mes tjerash, gazetari shqiptar ka shprehur bindjen se akuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së është e pavërtetë dhe nuk mund të vërtetohet.
“ Është një akuzë e ngritur politikisht, por që nuk argumentohet. Ata po bëjnë sot betejën e tyre të dytë, pas betejës për pavarësinë e Kosovës, pas betejës për ta hequr zgjedhën serbe, e cila ka ngritur kaq varre masive në Kosovë”, deklaroi Fevziu. /Telegrafi/